Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka reaguar për situatën aktuale politike në vend, duke kritikuar udhëheqjen shtetërore dhe duke paralajmëruar për pasoja në raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Sipas Dedajt, qeverisja aktuale ka dëmtuar partneritetin e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë dhe ka prodhuar pasoja për diplomacinë dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Regjimi në ikje, sikur edhe gjatë 5 viteve të pushtetit të tyre monist e popullist, vazhdojnë edhe tani në kontinuitet t’a dëmtojnë partneritetin me SHBA dhe BE’’, ka deklaruar Dedaj.
Ai ka vlerësuar se diplomacia e Kosovës gjatë mandatit të kaluar ka pësuar dështim të madh, duke theksuar se vendi është përballur me masa ndëshkuese izolim ndërkombëtar, pezullim të dialogut strategjik si dhe paralizim të Strategjisë së Planit të rritjes.
“Diplomacia e Kosovës gjatë mandatit të kaluar kishte pësuar fiasko të plotë, Kosova ishte vënë nën sanksione dhe izolim, Dialogu Strategjik me SHBA ishte anuluar, poashtu edhe Strategjia e Planit të Rritjes me BE ishte paralizuar. Falë kësaj politike të rrezikshme të binomit Kurti-Osmani, Kosova shëmtoj imazhin para partnerëve dhe humbi me qindra miliona euro’’, ka thënë ai.
Dedaj ka shtuar se gjatë kësaj periudhe Kosova ka pësuar rënie edhe në proceset e njohjeve dhe në partneritetet ndërkombëtare.
“Të mos flasim për degradimin e Kosovës në planin e njohjeve, anëtarësimeve dhe të partneritetit i cili asnjëherë nuk ka qenë më i rrezikuar në këto vitet e pasluftës’’, ka deklaruar Dedaj.
Sipas Dedajt kjo situatë ka prodhuar pasoja serioze në raportet me aleatët kryesorë të Kosovës dhe rrezikon perspektivën euroatlantike të vendit.
“Kjo situatë ka arritur efektet negative të dëmtimit të skajshëm të raporteve me SHBA dhe BE, me theks të veçantë e rrezikon perspektivën Europiane dhe integrimin Euroatlantik të Kosovës në NATO dhe BE’’, ka thënë ai.
Sipas Dedajt, vonesat në krijimin e institucioneve të Kosovës, të cilat sipas tij po hyjnë në vitin e dytë, përbëjnë degradim institucional dhe përgjegjësia kryesore për këtë situatë i takon kryeministrit Albin Kurti. Ai vlerëson se kjo situatë ishte mbështetur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa shton se reagimi i saj erdhi vetëm në momentin kur, sipas tij, u rrezikua pozita e saj si presidente.
“Mungesa e krijimit të institucioneve të Kosovës e cila po hynë në vitin e dytë, është degradim dhe skandal i Albin Kurtit, i cili e kishte mbështetjen e noteres Vjosa Osmani, e cila vetëm në fund kur iu rrezikua karriga e presidentes, u revoltua thjeshtë për interesa meskine dhe të ulta personale’’, ka deklaruar Dedaj.
Në fuhnd Dedaj thotë së Kosova ka hyrë në një tunel të errët politik nga I cili nuk do të dalin pa largimin nga pushteti të Vjosa Osmait e Albin Kurtit.
“Kosova ka hyrë në një tunel të errët politik, nga i cili nuk do mund të dalin pa largimin nga pushteti të këtij binomi fatal e keqbërës Kurti-Osmani’’, ka thënë ai.






