Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të shpreh “shqetësimin” për formimin e një aleance ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke e paraqitur veten si viktimë të një situate që sipas tij është drejtuar direkt kundër vendit të tij.
“Unë jam president i një vendi numerikisht të vogël. Nuk jam Donald Trump, Vladimir Putin, presidentë të mëdhenj që zgjidhin gjithçka me lehtësi. Nuk ka gjëra të lehta për mua. Sigurisht që kam frikë. Jam një president që dëshiron që trashëgimia e tij të jetë paqja. Nga askund, shfaqet një aleancë ushtarake. Sigurisht që kam frikë, për jetën e çdo qytetari të vendit tonë, kjo është përgjegjësia ime”, tha Vuçiq në një intervistë të fundit.
Ai akuzoi Kroacinë dhe Shqipërinë se qëllimisht po krijojnë një aleancë për të minuar Serbinë, duke theksuar se “kjo aleancë ushtarake është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë, nuk ka arsye tjetër”.
“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre . Ata po presin momentin që do të ndodhë në të ardhmen kur të shpërthejë një konflikt më i madh midis evropianëve dhe rusëve dhe një konflikt edhe më i madh në Lindjen e Mesme. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për të mbrojtur vendin tonë. Ne nuk mund të sulmojmë vendet e NATO-s, dhe Shqipëria dhe Kroacia janë midis tyre. Këto janë qëllimet e tyre, ata po presin një moment të favorshëm kur të ketë kaos të përgjithshëm në botë”.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq për armët hipersonike të Serbisë, Vuçiq tha se marrëdhëniet me NATO-n janë “korrekte dhe të mira” dhe se vendi i tij nuk do të anëtarësohet në Aleancë, duke ruajtur neutralitetin.
Analistët e shohin këtë qëndrim si një strategji për të shfaqur Vuçiq si viktimë të një situate rajonale, duke e pozicionuar veten si mbrojtës i paqes dhe stabilitetit në rajon përballë një aleance që ai e percepton si kërcënim.
NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, më herët ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.
Pas këtyre deklaratave, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusheviq, tha se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë nuk përbën kërcënim për askënd.
“Në këtë deklaratë absolutisht nuk ka asgjë të diskutueshme dhe, natyrisht, nuk i rrezikojmë askënd me të. Bashkëpunimi ynë është qartësisht i orientuar drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe për thellimin e partneritetit dhe aleancës mes tre shteteve mike”, shkroi ai në X.
Edhe më herët, nënshkruesit e deklaratës kanë deklaruar se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.
Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.
Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Në bazë të kësaj deklarate, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.






