Sipas politologut Melazim Koci, Gjykata Kushtetuese shumë më shpejt se që ka paralajmëruar do të dalë me vendimin mbi dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, e ai është i bindur se vendimi do të jetë me anulim të atij dekreti. Gjykata më 9 mars pati vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, masë që vlen deri më 31 mars.
Ai ka thënë se katër nenet e Kushtetutës e thonë qartë se kur mund të shpërndahet Kuvendi, dhe siç ka thënë ai, në rastin aktual nuk parasheh në asnjë pikë shpërndarje të Kuvendit.
“Besoj shumë që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim para 31 marsit, këtë e mbështes në faktin se rasti nuk është i ndërlikuar. Pavarësisht qëndrimeve politike, rasti është shumë i qartë, kemi të bëjmë me shkelje të rëndë kushtetuese, por që lehtë deshifrohet”, ka thënë ai në Interaktiv.
Koci ka shtuar se minimumi që mund ta bënte presidentja Vjosa Osmani para vendimit, ishte konsultimi me partitë politike.
“Minimumi nëse presidentja është thirrur në këtë nen (86), është dashur të ftojë partitë politike, të konsultohet dhe pastaj ta marrë vendimin. Ne jemi demokraci parlamentare dhe nuk është presidentja dhe kryeministri mbi Kuvendin, ata i përgjigjen Kuvendit. Prandaj jam i bindur se ky rast do përfundojë shpejt me anulim të dekretit të presidentes Osmani”, ka theksuar ai.
Sipas masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që është në fuqi deri më 31 mars, presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet, por edhe Kuvendi mbetet pa aktivitet.
Presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi Kuvendi në ditën e fundit të afatit kushtetues dështoi të zgjedhë presidentin.
Mandati i Osmanit si presidente përfundon më 4 prill.
Ndërkohë, vendimi i Kushtetueses mund t’ia kthejë funksionalitetin Kuvendit për së paku 60 ditë ose ta dërgojë vendin në zgjedhje.






