Kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla Schwarz lëshoi një komunikatë të partisë që drejton duke thënë se e kuptoi “nga mediat dhe rrjetet sociale” që Haxhi Avdyli dha dorëheqje nga partia për shkak të, siç tha, fushatë linçuese ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Ajo tha se Guxo e pranon dorëheqjen e tij dhe e falënderon Avdylin për kontributin, por shtoi se “askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës”.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale, kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli, paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme. Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe perkrahësve, Partia Guxo e falenderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo. Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!”, thuhet në komunikatën e postuar nga Gërvalla.
“Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në fund të komunikatës.
Në valën e sulmeve online ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila vendosi ta shpërndajë Kuvendin, u përmend edhe “pushkatimi”, gjë që nxiti një reagim nga Presidenca që bëri thirrje që bë thirrje që organet e drejtësisë “të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”.
Haxhi Avdyli, deputet në disa legjislstura, dha dorëheqje nga Guxo “në shenjë proteste dhe për të mos u identifikuar me këtë fushatë të ulët”, që tha se e ka prekur shumë.






