10.7 C
Pristina
Thursday, March 5, 2026

“Momir Pantiqin e kam pa në kodër”, dëshmitari rrëfen si u plaçkitën, maltretuan dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, është dëgjuar dëshmitari i Prokurorisë, Avdi Rexhaj, i cili rrëfeu ditën kur u larguan nga shtëpitë e tyre, ndërsa rrugës kishte parë të akuzuarin Pantiq.

Dëshmitari Rexhaj dekalroi se të gjithë të dëbuarit nga shtëpitë e tyre, që ishin nga fshatra të ndyshme të asaj zone, ishin në kolonë me traktorë, ndërsa aty në qëndër të fshatit Staradran kishe parë të akuzuarin Pantiq, i cili sipas tij i drejtonte se nga të merrnin rrugë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Atë ditë që kemi dalë prej shtëpive, në kodër të Staradranit, një traktor para meje, këtë Momir Pantiqin e kam pa në kodër, me sheshir”, tha Rexhaj.

Më 7 maj 1999, dëshmitari Rexhaj theksoi se ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre, ishin plaçkitur, maltretuar dhe dëbuar në drejtime të ndryshme. Tha se me vete, në traktor kishte 20 anëtarë të familjës, që ishin nisur në drejtim të Kukësit.

Paraprakisht, të gjithë ishin mbledhur tek “Livadhi i Grabovcëve”, ku ishin të rrethuar nga forca të mëdha policore të armatosura.

“Unë kam komuniku me një polic, ma ka qitë hartën që kemi me shku në këtë drejtim edhe keni me shku për Shqipëri”, tha Rexhaj.

I pyetur nga prokurori special Armend Zenelaj lidhur me të akuzuarin Pantiq, dëshmitari para trupit gjykues deklaroi se atë e njihte si inspektor të sigurimit shtetëror.

“Po, një periudhë ka qenë inspektor i sigurimit shtetëror, pastaj është emëru si kryeshef i Policisë të Komunës së Istogut”, tha Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA