Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pasi dje nuk është mbajtur fare seanca për Presidentin, pasi nuk kanë qenë dy kandidatë për President.
Ajo ka pyetur se edhe sa shansa duhet populli t’ia jep Albin Kurtit.
“Populli i Kosovës i dha tri herë radhazi Albin Kurti besimin më të madh politik në historinë e pasluftës. Me krejt dështimet e tij në dy mandatet e para, qytetarët i dhanë një mandat me mbi 50% për të ndërtuar institucione stabile, për të marrë vendime dhe për ta çuar vendin përpara. Por sot, përballë bllokadave dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve, lind një pyetje legjitime: edhe sa shansa duhet t’i japë populli një qeverisjeje që nuk arrin ta kthejë besimin në rezultate?”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se Kosova nuk mund të mbahet peng i kalkulimeve politike, qytetarët kanë votuar për përgjegjësi, veprim dhe institucione që funksionojnë.
“Mandati i madh është përgjegjësi e madhe. Dhe kur një lider merr një besim kaq të fuqishëm nga qytetarët, ai nuk ka luksin të dështojë në detyrën më themelore: ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit, sepse, në fund, demokracia nuk matet me fjalë dhe premtime, por me rezultate konkrete për qytetarët. Albini nuk din e as nuk don me qeverisë, Albini don me SUNDU!”, ka shkruar ajo.






