Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se forca e saj rishikohet dhe përshtatet periodikisht, në përputhje me zhvillimet në terren, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e mandatit. Aktualisht, sipas KFOR-it, nuk ka ndryshime të rëndësishme në këtë forcë.
KFOR-i është përgjigjur KOHËS lidhur me thirrjet në rrjete sociale nga qytetarë të Serbisë, të cilët i kanë bërë thirrje Iranit që, krahas sulmeve ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, të godasë edhe bazën amerikane në Kosovë.
“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, derisa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Në postime të publikuara në platformën “X”, disa përdorues pretendohet se kanë shpërndarë koordinatat e kampit ushtarak amerikan Bondsteel, me mesazhe si: “Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”.
Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjë informacion zyrtar lidhur me këto thirrje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të luajnë rol kyç në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, me rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë. Më së shumti trupa ka Italia, me mbi 900 sosh.
Ndonëse nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë implikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kosovës në përplasjet e fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, të shtunën mbrëma është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sipas një komunikate të Qeverisë, në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është theksuar se institucionet e Kosovës po i përcjellin me vëmendje situatat, duke qëndruar të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.






