Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se 25 minatorë të rinj kanë filluar punën në këtë ndërmarrje, një lajm që është përshëndetur nga të gjithë ata që janë të angazhuar në këtë sektor.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se ky është një lajm i mirë dhe i rëndësishëm për të gjithë.
“Këta djem të rinj nuk kanë hyrë vetëm në një vend pune. Ata kanë hyrë në një profesion të vështirë, me përgjegjësi dhe sakrificë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje, një shpresë për më shumë siguri dhe një e ardhme më e qëndrueshme. Si Sindikatë e mirëpresim këtë hap. Punësimi i tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e ndërmarrjes dhe në rritjen e stabilitetit. Sa më shumë punëtorë të ketë, aq më e fortë bëhet Trepça. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë çdo minatori, duke kërkuar kushte më të mira, mbrojtje sociale dhe trajtim me dinjitet. Sepse Trepça mbahet gjallë nga njerëzit e saj, nga puna e tyre e ndershme dhe nga sakrifica që bëjnë çdo ditë në nëntokë”, thuhet në postim.






