Hillary Clinton doli përpara ligjvënësve republikanë në një intervistë me dyer të mbyllura në kuadër të hetimit të Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve për lidhjet e mundshme me Jeffrey Epstein.
Pas më shumë se gjashtë orësh dëshmi në Nju Jork, ajo deklaroi se i ishte përgjigjur çdo pyetjeje dhe theksoi disa herë se nuk e kishte njohur kurrë Epstein dhe nuk kishte pasur komunikime me të.
“Nuk e di sa herë më është dashur të them. Nuk e njihja Jeffrey Epstein. Nuk kisha asnjë ide për aktivitetet e tyre kriminale”, tha Clinton për Epstein dhe Maxwell.
Më tej ajo shtoi: “Nuk më kujtohet ta kem takuar ndonjëherë zotin Epstein. Nuk kam fluturuar kurrë me avionin e tij dhe as nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar për këtë”, u shpreh ajo.
Clinton pranoi se e njihte “rastësisht” Ghislaine Maxëell, e dënuar për rolin e saj në çështjen Epstein, duke sqaruar se Maxwell kishte marrë pjesë si e ftuar në dasmën e vajzës së saj në vitin 2010.
Ajo kritikoi republikanët që refuzuan një seancë publike, duke e cilësuar procesin si të politizuar.
Kryetari i komisionit, James Comer, e përshkroi dëshminë si “produktive” dhe tha se mund të publikojë videon brenda 24 orëve. Ai shtoi se ish-sekretarja shpesh i referonte pyetjet për bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton, i cili pritet të dëshmojë së shpejti.
“E vlerësova këtë. Dua të shoh të dalë e vërteta në dritë, kështu që kjo ishte një mënyrë qetësuese për t’i dhënë fund një dëshmie shumë të gjatë dhe të përsëritur”, tha ajo për Comer.
Demokratët, përfshirë kongresmenin Robert Garcia, mbrojtën Clintonin duke theksuar se ajo po bashkëpunon plotësisht. Gjatë seancës pati tensione pasi në rrjetet sociale u publikua një foto nga intervista, çka çoi në ndërprerje të përkohshme.
Sipas marrëveshjes, dëshmia u fokusua në pesë tema, përfshirë hetimin federal ndaj Epstein, vdekjen e tij në vitin 2019 dhe masat kundër trafikimit seksual. Clinton e cilësoi të pazakontë faktin që disa pyetje prekën edhe teori konspirative si UFO-t dhe “Pizzagate”.






