Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar figurat e Adem Demaçin dhe Astrit Deharin, të cilët po të ishin gjallë do të festonin ditëlindjen më 26 shkurt.
Përmes një mesazhi publik, ai theksoi rolin dhe kontributin e tyre në rrugëtimin për liri, drejtësi dhe Republikën e Kosovës.
Duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, kryeministri e cilësoi atë si emrin më të shquar të përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar për organizim të gjerë në funksion të lirisë dhe bashkimit kombëtar, për drejtësi dhe për Kosovën Republikë.
“Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë. Ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik (26 shkurt), por shifër domethëniesh të thella që vijojnë të na frymëzojnë dhe tregojnë me bindje rrugën tonë përpara”, ka shkruar kreu i qeverisë.






