Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke thënë se partia e tij po fokusohet në parime dhe standarde, jo në emra të veçantë.
Tahiri ka deklaruar për mediat se PDK kërkon një kandidat që përfaqëson institucionet, qytetarët dhe ka reputacion dhe integritet si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar.
“Por dikë që përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt, dikush që ka reputacion dhe integritet, edhe vendor edhe ndërkombëtar, dikush që ka kontribut dhe është intelektual, dhe që i bën nder edhe shtetit të Kosovës, por edhe qytetarëve të Kosovës, vazhdojmë me mbet brenda këtyre qëndrimeve, në tentim të saj me diskutuar në parim dhe standard se kush do të duhej ti plotësonte këto atribute për të qenë president i vendit. Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm, nuk kemi folur as dje, nuk po flasim as sot, por mendoj se vullneti i PDK-së është që kontribuojë në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë. Por nëse nuk do të mundej me u gjet dikush, ose nuk ka më pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK është gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje. Nuk është diskutuar për marrëveshje politike, kjo çështje ka përfunduar. Marrëveshje politike i kish ra kur është formuar qeveria. PDK nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por e interesuar për me pas qasje proaktive, pozitive, mbështetëse për institucionet dhe me mbështet një kandidat që i plotëson këto standarde që i ceka paraprakisht”.
Kur u pyet nëse presidentja aktuale, Vjosa Osmani, i plotëson këto kushte, Tahiri tha, se nuk dëshiron të ndalet në emra të përveçëm.
“Nuk është se po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi duke folur në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, deklaroi Tahiri.






