Një 7-vjeçar vdiq sot në Tiranë pasi u përplas nga një makinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:20, në rrugën “Kastriotët”. Sipas policisë, shoferi i makinës, identiteti i të cilit nuk dihet, pasi përplasi të miturin u largua nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë atij as ndihmën e parë.
7-vjeçari u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Në njoftimin e saj për mediat, policia e Tiranës thotë se po punon për të identifikuar shoferin dhe kapjen e tij.
“Rreth orës 11:20, në rrugën ‘Kastriotët’, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar ka përplasur një shtetas të mitur rreth 7 vjeç dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, i mituri ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.






