Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci ka uruar Donika Gërvallën për pozitën e re në kabinetin e ri qeveritar.
Peci thotë se pozitën si ministre e Drejtësisë, Gërvalla e ka merituar pasi sipas tij ajo ka guximin e dëshmuar në vite e dekada.
Ai ka theksuar se Gërvalla ka pastërti e drejtësi në shpirt.
“ Detyra e re e Donikës, përveç profesionalizëm e vizion të qartë, kërkon edhe guxim. Për shkak se sistemi i drejtësisë është ndër më sfiduesit. Ai kërkon edhe integritet, zë të kthjellët, vendosmëri, energji, konsekuencë, pastërti e drejtësi në shpirt, cilësi këto që e veçojnë Donikën. Donika Gërvalla e ka guximin, të dëshmuar në vite e dekada, në procese e në etapa të rëndësishme. Prandaj emërimi i saj si Ministre e Drejtësisë na mbush me besim e me bindje se rruga e nisur nga Ministrja Haxhiu, do të shtrohet e fortë dhe do të jetë e pakëkundur. Me fat përgjegjësia e re, Donikë! Le të jetë ky rrugëtim i vështirë i udhëhequr nga parimet tua, nga integriteti dhe dinjiteti yt. Urime!”, ka shkruar Peci.






