“REPUBLIKA” edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, do të mbahet nga 15 deri më 17 shkurt 2026, në Prishtinë
Ky edicion i festivalit do të mirëpresë 17 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Franca dhe Siria, duke e shndërruar Prishtinën në një pikëtakim të përvojave të ndryshme artistike dhe poetike nga rajoni dhe Europa.
Programi i festivalit përfshin aktivitete kulturore dhe artistike si: lexime poetike, dialogje poetike, panele diskutimi, promovime të librave, balet i dyzuem me poezi, performanca artistike dhe ekspozita.
Kjo platformë kulturore dhe artistike ndërkombëtare është një ngjarje kulturore e rëndësishme që promovon krijimtarinë poetike dhe shkëmbimin kulturor midis poetëve, kritikëve dhe krijuesve të poezisë nga e gjithë bota.
Ndërkaq, në ditën e tretë, më 17 shkurt në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pjesëmarrësit e festivalit do të realizojnë një vizitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si një akt simbolik nderimi dhe reflektimi.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë REPUBLIKA synon të ofrojë një platformë për shprehjen artistike, të inkurajojë dialogun ndërkulturorë dhe të shkrijë barrierat midis kulturave të ndryshme përmes fjalës së shkruar dhe performancave të drejpërdrejta.






