Bill Gates po flet më në fund për lidhjen e tij kontraverse me Jeffrey Epstein dhe nuk po kursen fjalët. Miliarderi i Microsoft ka pranuar se pendohet thellësisht për “çdo minutë” që kaloi me financierin e diskredituar, ndërsa publikimi i “Dosjeve Epstein” ka ndezur zemërim global.
Në një intervistë të sinqertë, Gates e quajti lidhjen me Epstein “një gabim serioz”, duke thënë se në atë kohë besonte se takimet mund të çonin në financime filantropike për shëndetin global. Në vend të kësaj, ai tani thotë se ato takime ishin “një keqgjykim total” që do të donte të mos kishin ndodhur kurrë.
Raportohet se Gates u takua me Epstein disa herë mes viteve 2011 dhe 2014, vite pas dënimit të Epstein për krime seksuale. Ky detaj ka nxitur kritika të reja, sidomos tani që miliona faqe nga “Dosjet Epstein” po bëhen publike dhe përmendin figura të fuqishme që kanë pasur kontakte me të.
“Pendohem thellë,” tha Gates, duke shtuar se premtimet e Epstein për lidhje bamirësie nuk u realizuan kurrë. Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë përfshirje në krimet e Epstein, se nuk ka vizituar kurrë ishullin e tij privat dhe se nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të paligjshëm.
Zbulimet kanë rihapur edhe plagë personale. Ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, ka deklaruar më parë se Epstein luajti rol në prishjen e martesës së tyre dhe i ka përshkruar lidhjet e Gates me të si “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Edhe pse përmendja e një emri në “Dosjet Epstein” nuk nënkupton fajësi, pranimi i drejtpërdrejtë i Gates ka bërë bujë në mbarë botën dhe ka ngritur pyetje të vështira mbi arsyen pse kaq shumë njerëz të fuqishëm vazhduan të lidhen me Epstein edhe pasi krimet e tij ishin të njohura.
Ndërsa vëmendja publike shtohet, deklarata e Gates po shihet si një nga shprehjet më të forta të pendesës nga një figurë e njohur e lidhur me Epstein, por për shumë kritikë, ky reflektim vjen tepër vonë.






