Familja Rexha ka bërë apel për ndihmë financiare për babain e tyre, Liridon Rexha, i cili po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një tumori të avancuar në veshkë.
Sipas familjarëve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti duhet të trajtohet jashtë vendit, ndërsa trajtimi mjekësor është bërë më kompleks dhe me kosto shumë të larta.
Sipas familjes, Liridon Rexha ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga mosha 16-vjeçare, ndërsa më pas ka shërbyer për vite me radhë si zjarrfikës, duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të komunitetit.
Megjithëse një pjesë e shpenzimeve është paraparë të mbulohet nga mbështetja e Qeverisë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për trajtimin e plotë. Familja bën të ditur se kostoja e përgjithshme e trajtimit mjekësor pritet të tejkalojë shumën prej 100 mijë eurosh.
Përballë kësaj situate, familjarët u bëjnë thirrje qytetarëve, miqve dhe dashamirëve që, sipas mundësive, të kontribuojnë financiarisht për të ndihmuar në sigurimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe për t’i dhënë Liridon Rexhës një shans për shërim.






