Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, gjatë pushimit të gjatë në sy të nxënësve dhe drejtoreshës së shkollës.
Për rastin e përleshjes së mësimdhënësve, një nxënës e kishte njoftuar Policinë Rajonale të Ferizajt.
“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”- ka konfirmuar më 30.01.2026 për KALLXO. zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”- ka shtuar ai.
Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit edhe drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, e cila ishte e pranishme në momentin e përleshjes fizike të mësimdhënësve të shkollës.
Nebihu e ka përshkruar vetëm si “shtyrje” përleshjen, megjithëse e ka pranuar se njëri prej mësimdhënësve ka rënë përtokë.
“Nuk ka ndodhur rrahje, incident ka pasë, nuk mundem me mohu, e ka rrëzu, e ka shty, e ka rrëzu njoni tjetrin”- ka thënë Nebihu.
“Unë kam qëllu aty, edhe u çu i njëjti profesor e ka kapë me e çu. Nuk ka pasë kështu grushte mes vete, por e ka shtyrë mbrapa në shpinë t’u dalë, me qëllim, jo pahiri”, ka shtuar ajo.
Nebihu ka thënë se menjëherë u ka kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në shtëpi dhe se ka informuar edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit të Komunës së Ferizajt.






