Transferimi i Valon Berishës te FK Zeljeznicar nuk do të realizohet. Mesfushori 32-vjeçar i Kombëtares së Kosovës ka vendosur të mos e pranojë ofertën e klubit nga Sarajeva, duke e përjashtuar këtë opsion nga planet e tij për vazhdimin e karrierës.
Sipas raportimeve nga gazetari italian Lorenzo Lepore, Berisha aktualisht po analizon alternativa të tjera në tregun e transferimeve, me synimin për të gjetur një projekt që i përshtatet më mirë ambicieve të tij sportive.
Me refuzimin e kësaj oferte, Zeljeznicari pritet të zhvendosë fokusin drejt emrave të tjerë për repartin e mesfushës, ndërsa përvoja dhe emri i Berishës mbeten ende tërheqëse për disa klube në Evropë.
Kontrata e mesfushorit kosovar me LASK Linz skadon në fund të këtij sezoni, por një largim i mundshëm gjatë afatit kalimtar dimëror mbetet ende në tryezë. Në edicionin aktual, Berisha ka zhvilluar 12 ndeshje me klubin austriak, pa regjistruar gola apo asistime.
I njohur për përvojën e tij ndërkombëtare, Berisha ka lënë gjurmë te RB Salzburg, ndërsa ka qenë pjesë edhe e klubeve si Lazio, Fortuna Düsseldorf, Reims dhe Melbourne City. Në arenën ndërkombëtare, ai ka zhvilluar 52 paraqitje me fanellën e Kosovës, duke qenë një nga emrat më me përvojë të përfaqësueses.






