Sot janë bërë 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Ishte 22 janari i vitit 1998 kur nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë (Skenderaj), kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për t’i sulmuar.
E sot, 28 vjet pas, Bekim Hamëz Jashari ka publikuar një video në Facebook, ku flet Shaban Murat Jashari, i cili tregon për këtë sulm të forcave serbe.
Po në këtë video, flet Hamëz Jashari i cili thotë se “kurrë nuk do ta lëshojmë vendin, do të përgjigjemi me aq sa kemi mundësi”.
E në postimin e tij në Facebook, Bekim Jashari shkruan se “gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe atdheut”.
“22 Janar 1998 Prekaz. Gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe Atdheut. Frymëzimi i forcuar brez pas brezi kulmoi më 5, 6 dhe 7 mars, kur qëndresa u bë kushtrim, e kushtrimi histori, dhe sakrifica u shndërrua në përjetësi…”, shkruan Bekim Hamëz Jashari.






