Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së shtatë të fazës së ligës, ku në skenë dalin përballje vendimtare që mund të përcaktojnë fatin e shumë skuadrave në garën për kualifikim. Programi i mbrëmjes ofron duele të forta mes gjigantëve evropianë dhe ekipeve që luftojnë për të qëndruar gjallë në kompeticion.
Një nga sfidat më tërheqëse është ajo mes Marseille dhe Liverpool, një ndeshje që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në renditje. Skuadra franceze synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës, ndërsa “The Reds” kërkojnë një rezultat që do t’i afronte ndjeshëm me fazën tjetër.
Po aq interesante pritet të jetë edhe përballja Juventus–Benfica në Torino. Dy klube me traditë të madhe evropiane ndeshen në një duel ku çdo detaj dhe çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për pozicionimin final.
Në Gjermani, Bayern Munich do të përballet me Union Saint-Gilloise, me bavarezët që hyjnë si favoritë dhe synojnë një fitore bindëse. Megjithatë, ekipi belg udhëton pa presion dhe me ambicie për të surprizuar.
Barcelona ka një transfertë të vështirë ndaj Slavia Pragës, në një ndeshje ku gabimet nuk tolerohen. Katalanasit kanë nevojë urgjente për tri pikët, ndërsa vendasit njihen për paraqitjet e forta para tifozëve të tyre.
Chelsea do të zbresë në “Stamford Bridge” përballë Pafos, me londinezët që kërkojnë të konsolidojnë pozitën në tabelë. Nga ana tjetër, mysafirët shpresojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë për një rezultat surprizë.
Në Angli, përballja Newcastle United–PSV Eindhoven pritet të jetë dinamike dhe me ritëm të lartë, ndërsa Atalanta dhe Athletic Bilbao do të përplasen në Bergamo në një duel të hapur dhe ofensiv, ku luftohet drejtpërdrejt për pozita të rëndësishme.
Një tjetër ndeshje me peshë është ajo mes Galatasarayt dhe Atletico Madridit, e cila pritet të karakterizohet nga intensitet i lartë dhe betejë taktike. Ndërkohë, nga ora 18:45, Qarabag dhe Eintracht Frankfurt do të kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në ‘play-off’.
Liga e Kampionëve ka hyrë tashmë në fazën ku gabimet kushtojnë shtrenjtë. Fitoret afronin kualifikimin, ndërsa çdo hap fals mund të nënkuptojë fundin e rrugëtimit evropian.






