Kreu i OKB-së, Antonio Guterres nuk do të mund të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos për shkak të një ftohjeje të rëndë, njoftoi sot një zëdhënës në Gjenevë.
”Sekretari i përgjithshëm, fatkeqësisht, duhet të anulojë pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili ishte parashikuar për nesër, sepse është prekur nga një ftohje e rëndë”, deklaroi Rolando Gomez gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
”Pas një vizite të së shtunës në Londër, Guterres ka ardhur në Zvicër për të takuar përfaqësuesit dhe të dërguarit e tij të veçantë, të cilët do të marrin pjesë në samitin vjetor”, shtoi ai.
”Kjo mbledhje tani ka përfunduar dhe ai është rrugës për në Nju Jork”, sqaroi Gomez.






