4.7 C
Pristina
Wednesday, January 7, 2026

5 janar 1555 – Përvjetori i ‘së shkruomit’ të Mesharit

Më 5 janar 1555, meshtari katolik shqiptar dom Gjon Buzuku përfundoi së shkruari librin e tij liturgjik Meshari, i cili njihet sot si vepra e parë e shtypur në gjuhën shqipe dhe njëkohësisht si monumenti i parë letrar i saj.

Vetë autori shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruomi” veprën më 5 janar 1555. Kjo datë përbën një moment themelor në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

2025-a viti i krizës së librit, panairi pati më pak tituj të rinj në qarkullim
Dom Gjon Buzuku, duke parë nevojën e madhe të besimtarëve të krishterë shqiptarë për të dëgjuar dhe kremtuar Fjalën e Zotit, liturgjinë dhe sakramentet në gjuhën amtare, vendosi të përpilonte këtë vepër, e cila u shërbente meshtarëve gjatë kremtimeve të ndryshme liturgjike në gjuhën e popullit.

Për të përmbushur këtë nevojë shpirtërore dhe kombëtare, ai e nisi veprën më 20 mars 1554 dhe e përfundoi në janar 1555. Sipas të dhënave që gjenden në Meshar, po atë vit u krye edhe shtypja e librit. Dom Gjon Buzuku shkruan:
“Ndë vjetët M.D.L.IV. njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët M.D.L.V. ndë kallënduor v dit.”

Deri më sot, nuk njihet asnjë libër tjetër më i vjetër i shtypur në gjuhën shqipe përpara Mesharit. Edhe pse rrethanat e sakta të shkrimit dhe botimit të tij nuk janë plotësisht të qarta, kjo vepër mbetet dëshmi madhore e përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për të ruajtur identitetin kombëtar e shpirtëror dhe për ta mbajtur popullin të lidhur me qytetërimin perëndimor dhe fenë e krishterë.

Siç thekson vetë autori, Meshari u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë”, pra nuk kishte përkthime të Shkrimit Shenjt në shqip, dhe mbi të gjitha “en sëh dashunit së botës sënë”, nga dashuria për popullin e vet. Kjo dëshmon se në atë kohë mungonin libra dhe shkrime fetare në gjuhën shqipe për edukimin fetar të besimtarëve.

I nxitur nga kjo nevojë e madhe baritore dhe i frymëzuar nga librat liturgjikë të kohës, dom Gjon Buzuku përpiloi një libër që përfshinte pjesë të liturgjisë eukaristike, sakramentale dhe të Biblës, të destinuara kryesisht për priftërinjtë. Meshari përmban, ndër të tjera: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, pjesë të Ritualit (si Sakramenti i Martesës), Urdhërimet e Zotit, pjesë katekizmi dhe meshë për të gjithë vitin liturgjik, për festa të luajtshme dhe të paluajtshme. Fatkeqësisht, veprës i mungojnë disa faqe, veçanërisht në fillim dhe në disa pjesë të brendshme.

Meshari është kryesisht një përkthim, por përmban edhe pjesë autentike të shkruara nga vetë Buzuku. Ai u përdor edhe nga meshtarë të tjerë shqiptarë, si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e të tjerë, gjë që dëshmohet në disa faqe të librit.

Vepra mund të krahasohet me librat liturgjikë të Kishës Universale të mesjetës, si Comes, Epistolarët apo Leksionarët, të cilët përmbanin leximet biblike, ritet e sakramenteve dhe lutjet për vitin liturgjik.

Meshari u zbulua rreth vitit 1743 nga imzot Gjon Kazazi (1702–1752), kryeipeshkëv i Shkupit, gjatë një qëndrimi të tij në Vatikan. Ai e gjeti librin në Kongregatën e Propagandës së Fesë dhe për këtë zbulim njoftoi Rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos, atë Gjergj Guxetën.

Sot ekziston vetëm një kopje e Mesharit, e ruajtur dhe e restauruar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Vlera e kësaj vepre është studiuar nga shumë albanologë e studiues të shquar, si At Justin Rrota, M. Roques, G. Schirò, G. Petrotta, N. Jokl, E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, Bardhyl Demiraj, Evalda Paci, Matteo Mandalà e shumë të tjerë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA