Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, më 10 dhjetor 2025, do të organizojë aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij aktiviteti, qytetarët me theks të veçantë studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë do të kenë mundësinë të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese.
Ata do të njoftohen nga afër me ambientet e Gjykatores, Bibliotekën, hapësirat ku punojnë gjyqtarët dhe stafi profesional, si dhe me historikun, punën dhe kompetencat kushtetuese të institucionit.
“Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta”, thuhet në njoftim.
Gjykata njofton gjithashtu se të gjithë vizitorët mbi moshën 16 vjeç duhet të posedojnë dhe dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identifikimi, si kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë.
“Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë)”, theksohet në njoftim.
Gjatë vizitës, qytetarëve do t’u lejohet të bëjnë fotografi vetëm në sallën e Gjykatores dhe në oborrin e objektit, sipas rregullave të institucionit







