Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka reaguar pas publikimit të një lajmi edhe në mediat në Kosovë ku pretendohej se “Zvicra ‘hap dyert’ për 85 mijë vende pune për të huajt – me paga deri në 6.500 euro”.
Dhe sipas reagimit të ambasadës zvicerane, ky informacion është i rremë dhe kuotat për shtetasit e vendeve të treta (shtetet jo-Shengen) mbeten të pandryshuara për vitin 2026.
“Kujdes nga lajmet e rreme! Kohët e fundit, mediat sociale dhe gazetat online kanë përhapur pretendime se Zvicra po hap tregun e saj të punës për 85,000 punëtorë të huaj. Këto raportime janë të rreme!”, është thënë në fillim të reagimit të ambasadës zvicerane.
Më pas theksohet se “siç thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të 19 nëntorit 2025, Këshilli Federal Zviceran ka vendosur të ruajë kuotat ekzistuese për shtetasit e vendeve të treta (shtetet jo-Shengen) për vitin 2026”.
“Një maksimum prej 8,500 punëtorësh dhe specialistësh të kualifikuar nga vendet e treta mund të rekrutohen në Zvicër vitin e ardhshëm. Kjo përfshin 4,500 leje qëndrimi (B) dhe 4,000 leje afatshkurtra (L)”, ka shtuar reagimi i Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.







