Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit nr. 01/3438-2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të datës 26.11.2025.
Në ankesë, PDK-ja pretendon se vendimi i KQZ-së cenon Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke zgjeruar në mënyrë të paautorizuar konceptin e qendrave të votimit jashtë vendit — përfshirë hapësira private dhe klube që nuk kanë status diplomatik.
Sipas kësaj partie, qasja e KQZ-së është në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Konventat e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe Konsullore.
PDK-ja paralajmëron se përdorimi i hapësirave të paautorizuara rrezikon sigurinë juridike dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke pamundësuar mbikëqyrjen objektive nga KQZ.
Në përfundim, Partia Demokratike kërkon që PZAP të anulojë vendimin e KQZ-së dhe të sigurojë që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në hapësira zyrtare dhe të autorizuara diplomatike.








