Biznesmeni Mondi Mëhalla (Edmond Hyka) do të përcillet për në banesën e fundit këtë të martë në orën 10:00, në qytetin e Elbasanit.
Ceremonia mortore për 43-vjeçarin, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës brenda automjetit të tij, do të zhvillohet nën masa të shumta sigurie, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve po vijojnë intensivisht.
Burime të grupit hetimor konfirmojnë se një person nga Lezha është shoqëruar nga policia, pasi dyshohet se mund të ketë dijeni rreth konfliktit që Mëhalla kishte pak ditë para ekzekutimit.
Kjo përplasje, ende e paqartë në motive, po shihet si një nga pistat kryesore të hetimit ndërsa policia ka konfirmuar se Naldo Gjini është emri i parë i dyshuar si i përfshirë në ekzekutimin mafioz të biznesmenit.
Struktura të shumta të policisë janë angazhuar në kërkim të tij, ndërsa kontrollet po shtrihen në disa qytete.
Sipas ekspertëve, Mëhalla është qëlluar me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, një metodë tipike e ekzekutimit profesional.
Ai sapo ishte futur në automjet kur u sulmua. Deri tani janë shoqëruar të paktën 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e Elbasanit dhe vijon kontrollet në banesa, rrugë dytësore dhe zona periferike.
Familjarë dhe të afërm të viktimës janë marrë në pyetje për të ndihmuar në identifikimin e konflikteve të mundshme që 43-vjeçari mund të ketë pasur së fundmi.
Burime zyrtare konfirmojnë se Mëhalla kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Ky fakt, së bashku me konfliktin e ditëve të fundit, po konsiderohet një pistë e fortë që hetuesit po e ndjekin me përparësi.
Grupi i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, vazhdon punën për mbledhjen e çdo prove dhe për analizimin e pamjeve filmike të zonës.
Autorët vijojnë të jenë ende në arrati, ndërsa priten zhvillime të reja në orët në vijim.







