Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.
Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.
Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.
Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.
Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”
Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.
OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh kalendarikë të ndërmarrë hapat e detyrueshëm.
“Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.
Nëse këto veprime nuk ndërmerren brenda afatit, OEK paralajmëron se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë.
Sipas njoftimit, moszbatimi i vendimit dëmton rëndë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.
OEK shton se procesi i paligjshëm ka “krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune”.
Në fund të njoftimit, OEK garanton se do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, dhe se nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen.
“Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” përfundon njoftimi i OEK-ut.







