Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, ka folur për Klix.ba rreth operacioneve të fundit ushtarake në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995 dhe negociatave të Dejtonit. Ai ka komentuar mundësinë e avancimit të forcave të Armatës së Bosnjës e Hercegovinës, HVO-s dhe Ushtrisë Kroate drejt Prijedorit e Banjallukës, si dhe rolin e SHBA-ve në frenimin e operacioneve.
Duke folur për ofensivën e vjeshtës 1995, Clark deklaroi se parandalimi i avancimit të forcave të Bosnjës dhe Kroacisë ndryshoi rrjedhën e luftës.
“Po të mos ishin ndalur, ndoshta do ta merrnin Banjallukën, por në luftë momenti është vendimtar. Kur e humbën, nuk mundën ta rikthenin”, tha ai.
Clark mohoi pretendimet se NATO apo SHBA kishin planifikuar bombardime ndaj ARBiH dhe HV-së në rast se do të hynin në Banjallukë.
“Jo, nuk do t’i bombardonim ato njësi, dhe sipas mendimit tim marrëveshja e Dejtonit do të ishte edhe më e fortë. Por vendimi për ndalimin e avancimit u mor sepse Federata në atë moment kontrollonte rreth 51 për qind të territorit, ashtu siç ishte paraparë. Ekzistonte edhe frika se forcat serbe do të nisnin një kundërofensivë nga Serbia”, theksoi Clark.
I pyetur për pretendimet se operacioni kroat “Una-95” u nis me kërkesë të Uashingtonit, Clark mohoi një gjë të tillë.
“Historia zyrtare është se morën vetëm ‘dritë të verdhë’ nga Shtëpia e Bardhë. Në Pentagon, në korrik 1995, i thamë ministrit Šušak: ‘Jo, mos e bëni’”, u shpreh ai.
Clark sqaroi se një ndërhyrje tokësore e SHBA-ve nën komandon e OKB-së do të kishte qenë e papranueshme.
“Do të ishte e pakuptimtë të ndërhynim me forca tokësore para Dejtonit nën mandat të OKB-së. SHBA nuk do të lejonte që trupat amerikane të ishin nën kontrollin e OKB-së”, tha ai.
Sipas Clark, edhe përdorimi i kufizuar i forcës ajrore në shtator 1995 ndikoi direkt te Miloševiqi.
“Edhe ajo fushatë e kufizuar ajrore e shtatorit e shtyu Milosheviqin drejt negociatave – e di, sepse kam qenë dy herë me të dhe kemi folur për këtë.”
Clark rrëfen se në negociatat e Dejtonit ishte “anëtari i dytë më i lartë i ekipit amerikan”, duke punuar në aneksin ushtarak, hartat dhe koordinimin me ushtritë serbe e kroate.
“Izetbegoviqi ishte negociatori më i ashpër, sepse kishte më shumë për të humbur – duhej të dorëzonte pjesë të territorit të vendit”, tha Clark.
Ai shtoi se Tuxhmani nuk kishte çështje të hapura të mëdha
“Milosheviqi e donte marrëveshjen sepse kishte arritur kulmin e tij ushtarak dhe diplomatik, ndaj i detyroi serbët e Bosnjës që të pranonin.”
Clark kujtoi se rreziku më i madh për prishjen e negociatave ishte territori i Brçkos.
“Pika më kritike ishte ndarja e Brçkos – të dyja palët e donin. Por u shpall zonë e përbashkët e okupuar dhe vendimi u shty, gjë që bëri të mundur marrëveshjen përfundimtare”, tha ai.
Sipas tij, kishte edhe tensione të tjera – për praninë e NATO-s, aneksin ushtarak dhe statusin e Sarajevës – por vetëm çështja e Brçkos “seriozisht e rrezikoi” arritjen e marrëveshjes.







