Banorët e fshatit Çabër të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Mitrovicës, janë ankuar se po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike nga ana e operatorit të energjisë, ndërsa sipas tyre, familjet serbe në zonë po furnizohen pa ndërprerje, edhe pse shumë prej tyre nuk posedojnë as matës të rrymës.
Sipas banorëve, prej disa ditësh situata është bërë e paqëndrueshme, duke shkaktuar shqetësime në jetën e përditshme.
“Tash e disa ditë, zyrtarë të elektro-serbëve janë duke ardhur për t’i shkëputur shqiptarët nga rryma në fshatin Çabër. Mua personalisht më është ndërprerë rryma sepse nuk kam pasur mundësi ta paguaj menjëherë, dhe pa paralajmërim më kanë shkëputur furnizimin,” ka deklaruar një qytetar për Tëvë1.
Ai thotë se ndërsa shqiptarët po përballen me masa strikte, në anën tjetër familjet serbe nuk po përjetojnë të njëjtën situatë.
“Në pjesën ku qëndrojnë serbët, rryma nuk po ndërpritet fare, pavarësisht se shumë prej tyre nuk kanë të regjistruar as orë të rrymës. Kjo është një padrejtësi që po e shohim çdo ditë,” është shprehur ai.
Banorët kërkojnë trajtim të barabartë dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për të garantuar furnizim të njëjtë me energji elektrike për të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.







