Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë dhe ka njoftuar se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tij.
Sipas njoftimit të MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te autoritetet serbe për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen ku po mbahet si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ministria njofton gjithashtu se është informuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe janë dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, për të siguruar mbikëqyrje dhe angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të Qenajt.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me kërkesën për lejimin e vizitës së të arrestuarit sapo të konfirmohet lokacioni i saktë i tij.
MPJD rithekson se do të informojë opinionin publik në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim lidhur me këtë rast.
Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve serbe, duke theksuar se Serbia vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.







