Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka kërkuar besimin për të udhëhequr vendin.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Hamza ka thënë se vota e tyre, do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës.
“Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se janë dy rrugë para.
“A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”
Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin.
“Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë.”
Ai ka premtuar kabinet profesional dhe të përgjegjshëm.
“Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së, përshkruan gjendjen aktuale në vend si të rënduar.
“Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”, ka deklaruar Hamza.







