Zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Inspektorët e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, kanë zhvilluar operacionin “Vjeshta 2025” nga 10 deri më 15 nëntor 2025, me qëllim identifikimin e hershëm të viktimave të trafikimit dhe parandalimin e veprave penale në të gjithë vendin.
Operacioni është zhvilluar në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, kontrollimin e lokaleve “Muzikë Live”, kontrollimin e “Qendrave të Masazhit”, dhe është zhvilluar plani taktik lidhur me “Eskorta”.
Gjatë operacionit, siç ka njoftuar Policia, janë inspektuar 50 lokale të “Muzikës Live”, ku janë hasur 449 persona, përfshirë 357 gra dhe 92 burra, prej të cilëve 168 qytetarë të Kosovës dhe 281 të huaj.
Gjithashtu, janë kontrolluar 73 qendra masazhi, ku janë identifikuar 201 persona, prej të cilëve 112 shtetase kosovare dhe 89 të huaja. Si rezultat i shkeljeve administrative, janë mbyllur 6 lokale muzike dhe 5 qendra masazhi.
Autoritetet kanë iniciuar 8 raste penale për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”, duke arrestuar 8 të dyshuara, ndërsa një rast për “Marrje me prostitucion” ka rezultuar me arrestimin e 4 personave, 3 burra dhe 1 grua. Gjithashtu, janë identifikuar 19 fëmijë lëmoshkërkues.
Një tjetër kontroll është zhvilluar në një objekt me 8 njësi banesore në Prishtinë, i cili përdorej për qira të paligjshme dhe nuk ishte i regjistruar si veprimtari biznesore. Objekti u mbyll nga IQMT dhe ndaj pronarit u iniciua procedurë nga ATK për shkelje administrative.
Zyrtarët theksuan se punëtorët e hasur në lokale dhe qendra masazhi u është dhënë mundësia të deklarojnë nëse janë viktima të trafikimit, por deri tani nuk janë raportuar raste konkrete.
Operacioni ‘Vjeshta 2025’ vjen si një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të forcuar mbrojtjen e qytetarëve dhe për të luftuar fenomenin e trafikimit në Kosovë.







