spot_imgspot_img
spot_img

Shpërthen Ganimete Musliu: Turpi i drejtësisë ka emër – Besim Kelmendi

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër pas raportimeve të reja që lidhen me rolin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në hetimet për masakrën e Reçakut.

Ajo e përshkruan gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë si një “turp”, duke theksuar se ky turp “ka emër e mbiemër”.

Musliu pretendon se Kelmendi ka mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit për tre vite, falë – siç thotë ajo – një vendimi “plotësisht politik” të Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte refuzuar të dekretonte kandidatin e KPK-së, Blerim Isufajn, ish-ushtar i UÇK-së.

“Presidentja Osmani zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një njeri me të kaluar të diskutueshme lidhur me Reçakun. Ky është vendim dhe përgjegjësi krejtësisht politike e saj,” shkroi Musliu.

Ajo e sheh si alarmante faktin që Kelmendi sot paraqitet si dëshmitar në hetimet për Reçakun, për shkak të rolit të tij si asistent i gjyqtares serbe Danica Marinković më 16 janar 1999.

“Është goditje në fytyrë për viktimat e Reçakut, për familjarët e tyre dhe për të gjithë shoqërinë tonë që një person që atëherë ishte në anën e strukturave serbe sot udhëheq Prokurorinë e Shtetit. E paimagjinueshme. E papranueshme. E pafalshme,” thekson ajo.

Musliu kujton se tre vite më parë, kur u ngritën dyshimet e para, Kelmendi “kërcënoi me padi në vend se të sqaronte të vërtetën”.

Ajo kërkon përgjegjësi edhe nga drejtuesit më të lartë shtetërorë.

“Ku janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti? Si ka mundësi që asnjëri nuk mban përgjegjësi për vendimet që na kanë sjellë në këtë situatë? Heshtja e tyre është bashkëfajësi morale,” deklaron Musliu.

Deputetja e PDK-së kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kelmendit dhe thotë se, nëse ai nuk largohet vetë, atëherë Këshilli Prokurorial duhet të veprojë.

“Nëse as KPK nuk vepron, atëherë mesazhi është i qartë: në krye të institucionit që duhet të luftojë krimin dhe të mbrojë drejtësinë, po lihet një person me hije të rëndë mbi të kaluarën e tij. Kjo është poshtëruese për shtetin,” përfundon ajo.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA