Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka “shumë të lehtë” ta zgjidhë cështjen e buxhetit të kryeqytetit.
“Përparim Rama e ka shumë të lehtë që ta bëjë zgjidhjen për buxhetin e Komunës së Prishtinës – le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut që ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është.”
Ai tha se ka zëra që Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij të vijë Përparim Rama. Sipas tij, kjo ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK.
“Por siç duket, shtimi i zërave se tash edhe Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij në krye të LDK-së duhet të vijë Përparim Rama, ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK. Ndryshe nuk ka se si spjegohet qëndrimi kategorik i grupit parlamentar të LDK-së për të mos e miratuar Buxhetin 2025 për Komunën e Prishtinës, kur tashmë janë me miliona euro fatura të papaguara që janë mbledhur në mungesë të buxhetit të miratuar, dhe ka mbetur pak më shumë se 1 muaj deri në fund të vitit fiskal. Shumë keq që për shkak të rivalitetit të brendshëm në LDK, po e pësojnë qytetarët e Prishtinës.”







