Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendi do të përshpejtojë procesin e lëshimit të vizave për vizitorët e huaj që kanë bileta për ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, i cili do të zhvillohet në 11 qytete amerikane.
Sipas Trump, Washingtoni do të krijojë një sistem të veçantë për caktimin e takimeve të intervistave për vizë, duke u dhënë përparësi tifozëve të futbollit që do të udhëtojnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Ndeshjet e Botërorit do të zhvillohen gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.
Duke folur nga Zyra Ovale, presidenti theksoi se agjencitë qeveritare kanë punuar “për të siguruar që tifozët e futbollit nga e gjithë bota të kontrollohen siç duhet dhe të kenë mundësi të hyjnë lehtësisht në SHBA verën e ardhshme”.
Ai shtoi se administrata e tij tashmë ka përshpejtuar ndarjen e vizave për shumicën e vendeve, duke e ulur kohën e pritjes në më pak se 60 ditë.
Trump vlerësoi se Botërori 2026 mund të sjellë rreth 30 miliardë dollarë të ardhura dhe të krijojë 200 mijë vende pune, duke e cilësuar ngjarjen si një mundësi të madhe ekonomike për vendin.







