Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) zbret në Sarajevë për fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Rajonin e njeh mirë – për vite me radhë ai ka drejtuar Grupin e Ballkanit Perëndimor të CDU/CSU në Bundestag.
Kësaj radhe Wadephul nuk udhëton si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.
Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papovic, tha për DW se shpreson për “më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.
Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor – jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.
Një sinjal i rëndësishëm politik
Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron, se mbështetja e Berlinit “nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.
Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria “ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi. “Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.
Serbia: ndalesa më delikate
Pika më e ndjeshme e turit është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq – por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit.
Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet njëkohësisht në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi – Mijatovic pret që Wadephul ta ngrejë këtë çështje në Beograd.
Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë “krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.
Po me Kosovën dhe Bosnjën?
Kosova, shteti më i ri i Evropës, para tre vjetësh paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE. Sot vendi ndodhet në krizë politike: tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka ende qeveri funksionale, dhe zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Politologia Njomza Arifi shpreson që vizita e Wadephul “të japë një sinjal ndaj krizës dhe t’i nxisë përgjegjësit të gjejnë një zgjidhje”.
Në Sarajevë, ministri gjerman do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinësdhe Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Bosnja paraqiti kërkesën për anëtarësim në dhjetor 2022.
Mos harroni Maqedoninë e Veriut
Mijatovic thekson, se Maqedonia e Veriut nuk duhet lënë në hije. Vendi ndryshoi emrin në vitin 2019 për të zgjidhur konfliktin me Greqinë dhe bëri reforma thelbësore. Megjithatë tani kërkohet sërish ndryshim kushtetues për të futur pakicën bullgare. Pasiguria është e madhe. “Ne e kemi ndryshuar emrin… por çfarë vjen pas kësaj?”, pyet ai. Kjo pyetje përmbledh humbjen e besimit ndaj procesit të zgjerimit.
Shkupi është kandidat që nga viti 2005. Në 2022 nisi negociatat, por që prej atëherë ka pak lëvizje. Në kryeqytet Wadephul do të takohet me homologun e tij Timco Mucunski.
Shpejtim apo frenim?
Pritjet ndaj Wadephul janë të qarta: Berlini duhet të pozicionohet. Paraardhësja e tij, Annalena Baerbock, e kishte shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një nga tri prioritetet kryesore. Sot, thotë Mijatovic, dëgjohen “herë tre, herë pesë prioritete – dhe ndonjëherë Ballkani Perëndimor nuk është aty”.
Edhe heqja e postit të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor shihet si sinjal negativ. Ky post së fundit mbahej nga Manuel Sarrazin. Qeveria aktuale e hoqi pozicionin për të ulur numrin e të dërguarve të posaçëm.
Sipas ekspertit Nic, përgjigjja më e qartë për kursin e qeverisë gjermane do të shfaqet vetëm më vonë: “Në vitin 2026 do të shihet nëse Gjermania do ta përshpejtojë zgjerimin – apo nëse ai do të mbetet sërish viktimë e prioriteteve që konkurrojnë mes tyre.”







