Kombëtarja e Kosovës po i afrohet orëve vendimtare tw përballjes së madhe ndaj Sllovenisë, dhe përzgjedhësi Franco Foda ka dhënë sot disa sqarime të rëndësishme lidhur me formacionin që do të zgjidhet për duelin e së shtunës.
Në konferencën për media nga Ljubljana, Foda konfirmoi se kapiteni Amir Rrahmani do të rikthehet si titullar, pasi qendërmbrojtësi i Napolit ka kaluar plotësisht lëndimin dhe ka zhvilluar tri ndeshje të plota para grumbullimit.
Franco Foda:
“Po, Amiri tashmë i ka zhvilluar tre ndeshje me Napolin. Është pak i ngarkuar, por pritet të jetë gati nesër.”
Rrahmani mungoi gjatë muajit tetor për shkak të një lëndimi, dhe kthimi i tij pritet të jetë një shtysë e madhe për repartin defensiv të Dardanëve.
Ndryshe nga rasti i Rrahmanit, Foda nuk e konfirmoi nëse Edon Zhegrova do të jetë nga minuta e parë ndaj sllovenëve. Ylli i Juventusit ka luajtur pak minuta në ndeshjen e fundit dhe trajneri la gjithçka të hapur, duke thënë se vendimi do të merret në ditën e ndeshjes.
Foda:
“Zhegrova? Do të shohim nesër. Në ndeshjen e fundit luajti 30 minuta dhe është në formë. Në bazë të nevojave të ekipit do të marrim vendimin.”
Sllovenia – Kosova luhet të shtunën nga ora 20:45, ndeshje e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 dhe tejet e rëndësishme për synimet e Dardanëve.







