Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë lajmin e madh që do të gëzojë çdo tifoz blaugrana: klubi është duke planifikuar ngritjen e një statuje të Lionel Messit në stadiumin e ri, Spotify Camp Nou.
Laporta ka konfirmuar se procesi ka nisur dhe se hartimi i dizajnit të statujës do të jetë ndër projektet prioritare të klubit, duke theksuar se kjo është një mënyrë për t’i dhënë Messit nderimin që meriton.
Laporta: Ne po planifikojmë të ndërtojmë statujën e Leo Messit në stadiumin e ri. Duam që Messi të ketë statujën e tij jashtë Spotify Camp Nou sa më shpejt të jetë e mundur, dhe do të punojmë për dizajnin.
Ai shtoi se gjithçka do të bëhet me dakordësinë e familjes Messi:
“Messi e meriton plotësisht një statujë. Do të punojmë për ta realizuar këtë projekt, dhe sigurisht, Lionel dhe familja e tij duhet të jenë të pajtimit”.
Ky plan vjen në momentin kur Barcelona është drejt rikthimit në stadiumin historik, i cili ka qenë në rikonstruksion për gati tre vite. Statuja e Messit pritet të jetë një nga pikat më simbolike të kompleksit të ri dhe një destinacion i rëndësishëm për tifozët nga e gjithë bota.







