Kombëtarja e Sllovenisë mund të përballet me mungesa të mëdha në ndeshjen vendimtare kundër Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Sipas mediave sllovene, portieri legjendar i Atletico Madridit, Jan Oblak, ka pësuar një lëndim dhe është në rrezik të mos luajë të shtunën. “Sportklub.n1info.si” raporton se ai nuk ka marrë pjesë në stërvitjet e ekipit kombëtar nga e hëna deri të mërkurën, megjithëse ka qëndruar me skuadrën për terapi dhe seanca fitnesi.
Federata Sllovene e Futbollit ka shprehur shqetësim se Oblak mund të mos arrijë të rikuperohet në kohë, edhe pse vetë lojtari mbetet i vendosur të jetë gati për ndeshje, pavarësisht dhimbjeve të vazhdueshme.
Problemet për trajnerin Matjaz Kek nuk mbarojnë këtu. Ylli i Manchester United, Benjamin Šeško, është përjashtuar nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi në gju, duke i shtuar më tej vështirësitë e skuadrës përpara sfidës me Dardanët.
Kjo situatë mund të jetë një lajm i mirë për Kosovën, që të shtunën në stadiumin “Stozice” në Lubjanë, do të kërkojë një fitore historike për të mbajtur gjallë shpresat drejt Botërorit 2026.







