Grupi i tifozëve të KB Prishtina, Plisat, ka dalë me një reagim të ashpër ndaj menaxhmentit aktual të klubit, duke i akuzuar drejtuesit për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe kapje të klubit për interesa personale.
Sipas reagimit, takimet dhe premtimet për përmirësim nuk kanë sjellë asnjë rezultat, ndërsa “klubi është kthyer në pronë të individëve që e menaxhojnë sipas qejfit të tyre”. Plisat përmendin me emër Blerand Stavilevcin dhe Florian Miftarin, të cilët, sipas tyre, kanë dështuar në menaxhim dhe kanë shkatërruar unitetin brenda klubit.
Ata e quajnë emërimin e Ferit Zekollit si kryetar të klubit “të paligjshëm dhe në kundërshtim me statutin”, duke theksuar se gjithçka është bërë për ta mbajtur klubin nën kontroll personal. Gjithashtu, tifozët kanë ngritur shqetësime serioze për mospagesën e lojtarëve dhe qirave të banesave, duke e cilësuar këtë si mungesë respekti ndaj sportistëve.
Në reagim, Plisat kërkojnë që menjëherë të mblidhet bordi dhe të thirret kuvendi i rregullt, në mënyrë që të zgjidhen drejtues të rinj dhe legjitimë.
“Ky klub nuk është i asnjë individi – është i qytetit dhe i tifozëve të tij. Dashuria jonë për Prishtinën nuk lidhet me emra, por me ngjyrat që i mbajmë në zemër. Mos na e testoni durimin!”, thuhet në fund të reagimit.







