“Studente shembullore, njeri i dashur dhe e rritur në mirëqenie familjare”, kështu e përshkruan një mik i saj, Daorsa Spahijën, 24-vjeçaren që u gjet e vdekur javën e kaluar në Tetovë.
Miku i saj, që në rrjetet sociale njihet si “Zhubi the goat”, ka publikuar një video me rrëfime prekëse nga jeta e të ndjerës, e cila – sipas tij – dyshohet se i dha fund jetës për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve nga i dashuri i saj 31-vjeçar.
Sipas këtij rrëfimi, Daorsa nuk kishte qenë në dijeni se i dashuri i saj ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
“Hevzi Sejdiu, 31-vjeçar, njihet si kriminel në Maqedoni. Edhe pse kishte grua dhe tre fëmijë, ai u përfshi në jetën e Daorsës pa i treguar të vërtetën. E prezantoi madje edhe te familja e tij, deri në momentin kur u zbulua gjithçka. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Po të ishte në burg, sot Daorsa do të ishte gjallë”, – shprehet shoku i saj.
Në rrëfimin e tij, miku i të ndjerës shton se Daorsa do të duhej të diplomonte më 13 nëntor, por nuk arriti ta bënte, sepse, sipas tij, “një kriminel e kishte mashtruar dhe e kishte shkatërruar psikologjikisht”.
“Ai nuk tregoi që ka familje. E përfshiu në jetën e tij dhe kur u kuptua e vërteta, e kërcënoi, e shantazhoi dhe ia mori dokumentacionin. Ajo nuk kishte zgjidhje, as ku të shkonte. As policia nuk ishte opsion për të. Dy vite lidhje, dy vite vuajtje dhe gjendje e rënduar mendore”, – tha Zhubi.
24-vjeçarja, bija e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, u varros më 7 nëntor në varrezat e qytetit të Gjakovës, duke lënë pas dhimbje të madhe në familje dhe miq.
Lidhur me këtë rast që ka tronditur opinionin publik, Prokuroria Themelore në Tetovë ka njoftuar se janë intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndonëse deri më tani, sipas tyre, “të dhënat e para nuk tregojnë për vepër penale”.







