Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar në Klinë, Sokol Bashota, gjatë tubimit përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi, u fokusua tek investimet kapitale në qytet dhe fshatra, me qëllim rikthimin e besimit dhe dinjitetit të institucioneve komunale. Ai gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të fuqishëm të qytetarëve për të votuar më 9 nëntor.
Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë në Prizren, Shaqir Totaj, mbajti tubimin përmbyllës, ku falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe energjinë e tyre, duke theksuar se fitorja është pranë.
Ai gjithashtu u shpreh mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve dhe hasjanëve që po vijnë për të mbështetur qytetin, duke nënvizuar se të bashkuar do të arrijnë fitore.
Në Dragash, kandidati i PDK-së për kryetar, Shaban Shabani, mbajti tubimin përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi. Ata theksuan rëndësinë e bashkimit të qytetarëve dhe angazhimit për zhvillim dhe punë në komunë. Shabani bëri thirrje që më 9 nëntor qytetarët të shprehin vullnetin e tyre dhe të kthejnë ndryshimin në fitore.
Në Kaçanik, kryetari aktual Sabedin Vishi u angazhua për “ritëm të ri zhvillimi, horizonte të reja të punës dhe perspektivës për të gjithë, pa dallime, me qeverisje që mbështetet në transparencë dhe bashkëqeverisje:.
Në Mitrovicë, kandidati Arian Tahiri vizitoi bizneset dhe qytetarët, duke theksuar bashkëpunimin dhe përkushtimin si motor për zhvillimin e qytetit. Ai vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së bizneseve familjare dhe ruajtjes së traditës dhe cilësisë në prodhim.
Në Vushtrri, kryetari aktual Ferit Idrizi, gjatë tubimit përmbyllës, falenderoi qytetarët për besimin dhe përkrahjen: “Energjia dhe përkrahja e qytetarëve tregojnë se puna jonë ka lënë gjurmë. Të jem kryetari i çdo qytetari të Vushtrrisë është nderi më i madh i jetës sime.”







