Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, të cilët thanë se mbrojtja e Thaçit ka thirrur gjithsej katër dëshmitarë deri më tani dhe synon të thërrasë edhe tre të tjerë, përfshirë gjeneralin Clark.
“Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales.
Më 4 nëntor, Trupi Gjykues miratoi kërkesat e mbrojtjes për të organizuar dëshminë e Clarkut, e cila mund të fillojë pasditen e 18 nëntorit dhe pritet të vazhdojë më 19 nëntor, me një ditë shtesë të rezervuar më 21 nëntor për të përfunduar dëshminë.
Dokumentet e publikuara tregojnë se Clark ka marrë miratimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në Hagë.
Sipas mbrojtjes, dëshmia e gjeneralit amerikan do të përfshijë temat e mëposhtme: drejtimi i përpjekjeve të NATO-s për zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të KS të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.
Mbrojtja shpreson që dëshmia e Clarkut të përfundojë brenda dy ditësh, por ka kërkuar një ditë shtesë në rast nevoje, për t’i dhënë të gjitha palëve një mundësi të drejtë për të finalizuar dëshminë.







