Një studim i ri ka zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht alkool mund të përjetojnë goditje më të rrezikshme dhe rreth një dekadë më herët sesa ata që pinë më pak.
Sipas studimit, individët që konsumonin tre ose më shumë pije alkoolike në ditë kishin më shumë gjasa të pësonin hemorragji intrakraniale – një formë fatale e goditjes në tru e shkaktuar nga gjakderdhja – në mënyrë më të rëndë dhe në moshë më të re krahasuar me pijësit e moderuar.
Studimi thekson gjithashtu se pijësit e rëndë ishin më të prirë të shfaqnin shenja të sëmundjes së enëve të vogla të gjakut në tru, e cila lidhet me rrezikun e shtuar për demencë.
“Pijet e tepruara të alkoolit jo vetëm që rrisin ashpërsinë e goditjeve nga gjakderdhja, por gjithashtu përshpejtojnë dëmtimin e enëve të vogla të trurit,” tha Dr. Edip Gurol, neurolog në Universitetin e Harvardit dhe një nga autorët e studimit.
Studimi, i publikuar në revistën “Neurology”, përfshiu 1,600 të rritur me moshë mesatare 75 vjeç, të hospitalizuar për hemorragji intrakraniale. Rezultatet treguan se pijësit e rëndë kishin një moshë mesatare prej 64 vjetësh në momentin e goditjes, krahasuar me 75 vjet për ata që konsumonin më pak alkool. Për më tepër, hemorragjitë e tyre ishin mesatarisht 70% më të mëdha.
Analizat mjekësore zbuluan se pijësit e rëndë kishin numër më të ulët të pllakave të gjakut dhe presion të lartë të gjakut në momentin e pranimit në spital – faktorë që mund të ndikojnë në ashpërsinë dhe shpejtësinë e rikuperimit nga goditjet.
Megjithëse studimi kishte disa kufizime, si analiza e të dhënave në një moment të vetëm dhe mungesa e informacionit për zakonet e konsumit gjatë jetës, autorët theksojnë rëndësinë e reduktimit të konsumit të alkoolit për ruajtjen e shëndetit të trurit.
Dr. Gurol përfundoi:
“Nxitja e ndryshimeve në stilin e jetesës, përfshirë ndalimin e alkoolit, duhet të jetë pjesë thelbësore e përpjekjeve për parandalimin e goditjeve, sidomos tek ata që janë në rrezik më të lartë.”







