Gazeta prestigjioze italiane La Gazzetta dello Sport ka analizuar në detaje humbjen e rëndë të Napolit me rezultat 6-2 ndaj PSV Eindhoven, në kuadër të raundit të tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Sipas analizës së publikuar, media italiane ndalet veçanërisht te mungesa e Amir Rrahmanit, duke e cilësuar atë si një faktor vendimtar në katastrofën e mbrojtjes napolitane.
“Në mbrojtje sot më shumë se kurrë u ndie mungesa e Rrahmanit: mbrojtësi kosovar na dukej si një kolos, kur kthehemi pas te gabimet e Buongiornos dhe Beukemas,” – shkruan La Gazzetta dello Sport.
Më tej, analiza nënvizon se Rrahmani, së bashku me Lobotkën dhe Højlundin, përbëjnë boshtin e këtij ekipi:
“Nëse ata do të ishin në fushë, ndeshja nuk do të kishte përfunduar në këtë mënyrë,” shton gazeta.
Megjithatë, Gazzetta thekson se humbja nuk mund të justifikohet vetëm me mungesat:
“Rezultati 6-2 nuk mund të arsyetohet vetëm me mungesat, Napoli duhet të tregojë karakter dhe reagim pas këtij turpërimi.”
Në anën tjetër, brenda klubit mbizotëron optimizmi për rikthimin e Amir Rrahmanit, i cili pritet të jetë gati për ndeshjen e fundjavës kundër Interit.
Qendërmbrojtësi kosovar u lëndua gjatë detyrës me Kombëtaren e Kosovës në muajin shtator, por duket se rikuperimi i tij po ecën mirë – dhe trajneri Antonio Conte shpreson ta ketë në dispozicion për sfidën e rëndësishme në Serie A.