Ish-trajneri legjendar i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka treguar një anë tjetër të stilit të tij drejtues – atë të disiplinës dhe transparencës absolute në dhomën e zhveshjes.
Në një rrëfim interesant, Klopp pranoi se gjatë viteve të tij në “Anfield” kishte momente kur disa lojtarë ndiheshin të zhgënjyer nga vendimet e tij, dhe këtë e shprehnin publikisht në rrjete sociale.
“Kishte raste kur ndonjë lojtar ndihej i mërzitur me zgjedhjet e mia dhe postonte diçka në rrjete sociale, për ta fshirë më vonë,” – tregoi Klopp.
“Por ditën tjetër, në dhomën e zhveshjes, para të gjithëve, unë i thoja: ‘Mirë, tani na shpjego pse e postove atë mesazh të vogël.’”
Sipas tij, kjo metodë ishte mënyra më efikase për të vendosur rregulla dhe respekt mes lojtarëve:
“E bëja që të tjerët ta kuptonin se nëse guxonin të bënin të njëjtën gjë, do të duhej të përballeshin me të gjithë grupin.”
Një mënyrë tipike “Klopp”, e drejtpërdrejtë, pa frikë dhe me mesazh të qartë: askush nuk është mbi ekipin.