Destinacioni i së mërkurës ishte i qartë, Kolegji AAB.
Institucionit arsimor më të madh jopublik në vend, të mërkurën iu bashkuan qindra studentë të rinj, për t’i thelluar njohuritë në nivelin e arsimit universitar.
Fletushkat që shpërndaheshin në hyrje ishin vetëm hapi i parë drejt një të ardhmeje që premton sukses.
Për t’i dhënë atmosferës peshë solemne, në teatrin “Faruk Begolli”, i priste ceremonia e përgatitur posaçërisht për ta, ku fjalët e mirëseardhjes u shndërruan urë për etapën e re.
Rektori Blerim Olluri theksoi se studentët kanë zgjedhur vendin e duhur, një hapësirë ku dija nuk mbetet vetëm në letra, por bëhet pjesë e jetës dhe e së ardhmes së tyre.
Me fjalë frymëzuese, kryetarja e Unionit të Studentëve, Rijona Bajrami, i siguroi kolegët e saj se në këtë rrugëtim nuk do të jenë kurrë vetëm.
Në këto 25 vjet, AAB ka dëshmuar se studentët e tij hyjnë në tregun e punës shpesh para se të kenë përfunduar studimet.
Ky fakt ishte arsyeja kryesore që e shtyu Elda Pantinën të zgjedhë gazetarinë në këtë kolegj.
Një pasuri tjetër e AAB-së janë marrëveshjet me universitete ndërkombëtare, që u japin studentëve shansin të studiojnë edhe përtej kufijve të Kosovës.
Në këtë ditë, Kolegji AAB nuk ishte thjesht një institucion, por një premtim për një të ardhme të ndritur.