Veli Ademi, afarist në qytetin e Shtimës, ankohet se tash e 5 vjet pas çdo reshje atmosferike bodrumi i lokalit mbushët me ujëra të zeza dhe kundërmim të pakëndshëm.
Kjo ndodh si pasojë e disa problemeve me rrjedhjen e kanalizimit në rrugën “Komandant Kumanova”. Ai thotë se kjo po i shkakton dëme ekonomike, transmeton ATV.
“Prej vitit 2020 kemi probleme me kanalizimin. Kur ka reshje atmosferike, bodrumi na mbushet plot me ujë. Gjatë natës ndjehet një erë e pakëndshme, që vjen nga kanalizimi. Në biznes klientët vijnë të për një kafe, thonë veli çka është kjo ere kështu un nuk mundem me qëndru këtu’’, tha Ademi.
Ademi thotë se problemin e ka adresuar në Komunë, por thotë se nuk është marr parasysh, transmeton ATV.
“Ne kemi bërë kërkesë me shkrim në Kuvendin Komunal në maj të vitit 2024, drejtorit të urbanizmit, drejtorit të shërbimeve publike dhe drejtorisë së zhvillimeve ekonomike. Kam biseduar edhe drejtpërdrejt me kryetarin në zyrë hapur, kemi diskutuar shumë herë, por nuk janë marrë masa, tha Ademi.
Por nënkryetari i komunës së Shtimes, Faruk Beqa, thotë se ky problem do të sanohet pjesërisht brenda pak ditëve, transmeton ATV.
“Unë veç tash i kam marrë hapat e parë. Kam thirrur disa prej pronarëve të tokave ku kalon kanalizimi, për të zgjidhur problemin afatshkurtër. Brenda 3-4 ditëve do të zgjidhet ky problem. Ndërsa për zgjidhjen më të gjerë, kemi plan buxhetor për vitin e ardhshëm një shumë të caktuar për të rivitalizuar gjithë sistemin në një gjatësi prej 500 metrash, tha Beqa.
Me të njëjtin problem përballen edhe banorët e tjerë në këtë pjesë por ata nuk pranuan të flasin para kamerës.







