Komiteti për Administrimin e Tokës takohet për herë të parë, vlerësohet se Kosova po ndjek vendet evropiane

Komiteti për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacion Hapësinor (IKIH), ka filluar zyrtarisht punën të enjten, kur edhe u mbajt takimi i parë i këtij komiteti, raporton EO.

Në takim u theksua rëndësia e komitetit veçanërisht për sinkronizimin e informacioneve për planifikimin hapësinor të Kosovës.

Ministria i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se informacionet kadastrale luajnë rol kyç në planifikimin hapësinor, por edhe në politikëbërje.

“Informacionet kadastrale luajnë një rol kyç në planifikimin hapësinor dhe në bërjen e politikave”.

Aliu tha se Komiteti, përveç tjerash, do ta ndihmojë edhe hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës.

“Kuvendi ka marrë vendimin për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe si ministri jemi të angazhuar në këtë plan. Puna në këtë Komitet ka rëndësi në disa projekte e plane”.

Ai ka vlerësuar se janë bërë përmirësime të mëdha në administrimin e tokës.

“Komiteti ndërministror për administrimin e tokës kombëtare për informacionin hapësinor tashmë ka filluar punën. Deri më tani janë bërë përmirësime të mëdha në administrimin e tokës”.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se Kosova po ndjek vendet evropiane, teksa ka treguar edhe disa hapa konkretë që Agjencia po ndërmerr.

Ahmeti tha se një ndër projektet më të rëndësishme të Agjencisë është pikërisht ky Komitet.

“Kosova po ndjek shembujt më të mirë të shteteve evropiane. Deri më tani Agjencia kadestrale ka bërë hapa konkret në jetësimin e disa projekteve. Një ndër projektet më të rëndësishme është ky komitet. Është lehtësuar qasja në rrjet dhe është përshpejtuar koha”.

Tutje, ai tha se qëllimi kryesor është sinkronizimi i të dhënave ndërmjet të gjithë akterëve, teksa ka treguar se Agjencia po punon në pesë udhëzime administrative për implementimin e IKIH.

“Krijimi i kornizës ligjore për menaxhimin e tokës lehtëson administrimin e tokës. Na është paraqitur nevoja që të dhënat e agjencive të jenë të sinkronizuara dhe ky është edhe qëllimi kryesor”.

“Jemi duke punuar në pesë udhëzime administrative për implementimin e IKIH. Jemi në fazën fillestare të disa projekteve kapitale, të cilat lidhen kryesisht ne krijimin e të dhënave. Do të krijohen foto të reja për gjithë territorin e Kosovës. Të gjitha të dhënat do të vendosen në portalin e IKIH. Këto aktivitete i ndihmojnë qytetet e Kosovës që ta bëjnë planifikim me të mirë hapësinor”.

Udhëheqës i projektit të Bankës Botërore “REGIP”, Paul Prettitore, tha se po investojën në modernizimin e sistemit kadastarl të Kosovës.

“Banka Botërore ka bërë investime të mëdha në këtë sektor. Së fundi kemi bërë investime të mëdha në modernizimin e sistemit kadastral. Kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe jemi të fokusuar që t’i implementojmë projektet tona”.

Jennifer Ober, udhëheqëse e aktivitetit të qeverisjes së pronës në USAID, tha se fillimsit në kuadër të projektit do të punojnë me shtatë komuna për t’u zgjedhur më pas në 19, raporton EO.

“Kam qenë kënaqësi te punojmë me Agjencinë kadastrale dhe Ministrinë e Mjedisit. Do të fillojmë të punojmë me 7 komuna dhe në fund të projektit do të punojmë me 19 komuna”.

Modest Gashi, përfaqësues i “UN Habitatit”, tha se kanë qenë të fokusuar në shtatë komunat veriore të Kosovës, për çka ka sqaruar se kanë arritur që të arrijnë qëllimet e përcaktuara.

“Ne si organizatë e dimë rëndësinë e të dhënave hapësinore. Andaj në punën tonë që ka qenë e fokusuar në 7 komuna veriore të Kosovës, së bashku me Agjencinë Kadastral, kemi arritur qe t’i organizojmë këto komuna”.

Bilbil Kastrati, përfaqësues i OSBE-së, tha se Agjencia ka arritur që të zbatojë ligjet në fuqi e implementojë strategjitë.

“Agjencia kadastrale ka arritur rezultate të implementuar Ligjin për kadastrën dhe të drejtat pronësore dhe implementimin e strategjisë për të drejtat pronësore. E kuptojmë që Agjencia kadastrale ka nevojë për mbështetje”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA