Vuçiq thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj përgjegjësve për situatën në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje mbrëmë komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të vendosura kundër, siç tha ai, atyre që janë kokëfortë dhe përgjegjës për përshkallëzimin e situatës në Kosovë, “duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e gjithë rajonit”.

Vuçiq, në një deklaratë për mediumin amerikan CNN, u bëri thirrje serbëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të ruajnë maturinë.

Reagimi i tij vjen pasi Qeveria e Kosovës mori qortime nga ShBA-të, rreth zhvillimeve në veri, ku serbët po kundërshtojnë kryetarët veriorë.

Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, teksa shtoi se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, rreth krizës në Kosovë.

Sekretari Blinken ka deklaruar se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat siç ka thënë ai, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. Nga ana tjetër, Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.

Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

“Unë e di që këta njerëz janë të vendosur të luftojnë në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre elementare. Ata duan të mbijetojnë, të ruajnë emrin dhe mbiemrin, fenë e tyre dhe të kenë të drejtën të jetojnë atje ku kanë jetuar gjithmonë. Këshilla ime dhe kërkesa është që gjithmonë ta bëjmë atë në mënyrë paqësore dhe të qëndrojmë të kthjellët. Dhe i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime vendimtare kundër atyre që janë kokëfortë dhe që e përshkallëzojnë situatën në terren, duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, theksoi Vuçiq i pyetur se cili ishte mesazhi i tij për njerëzit që po protestojnë në veri të Kosovës.

“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk e kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

Ai theksoi se janë dy gjëra kyçe, “se Serbia i ka zbatuar të gjitha obligimet e saj nga marrëveshja e parë, nga prilli 2013, dhe Prishtina nuk e ka zbatuar të vetmen – formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, transmeton Paparaci.

“Nuk e kanë bërë, as nuk duan ta bëjnë”, tha ai. Ai po ashtu ka deklaruar se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur me pjesëmarrje prej 3.4 për qind. Për këtë arsye nuk janë legjitime dhe si të tilla janë zgjedhje të rreme, tha Vuçiq.

“A do të quheshin legjitime diku tjetër zgjedhjet me një pjesëmarrje kaq të ulët?”, pyeti ai. Ai gjithashtu theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i quan fashistë, ultranacionalistë apo kriminelë 97 për qind të qytetarëve në veri.

“Nuk mund të bëni pa 97 për qind të njerëzve dhe vetëm me tre për qind. Serbët duan siguri dhe siguri për veten dhe familjet e tyre”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA